Ish komandanti i UÇK-së: Lufta jonë është e pastër, nesër duke votuar të mbrojmë vendlindjen tonë njëjtë si në 2001-shin

Ish komandanti i brigadës së Ushtrisë Çlirimtare, Naim Alili përmes një postimi në rrjetet sociale një ditë para zgjedhjeve ka rikthyer në kujtesë ditët e vitit 2001 kur të gjithë iu përgjigjën bashkë kushtrimit të lirisë, sipas tij, tani vendlindja jonë ka lëshuar sërish kushtrimin, atë të përparimit dhe të ruajtjes së dinjitetit tonë kombëtar dhe sipas tij, ajo po na thërret që të qëndrojmë bashkë të mobilizuar për të mos lejuar që të na e marrin atë liri e barazi të fituar me gjakun tonë, me gjakun e shokëve tanë dëshmorë.

“Nesër është ditë historike, duhet të ndalim hovin e Mickoskit dhe argatëve të tij në kampin politik shqiptar, me votën tonë për Frontin Europian t’i themi njëherë e përgjithmonë JO Rusisë, PO Europës! Të gjithë e pamë se VMRO-ja është e njejta vatër antishqiptare që ka në plan të propozojë formimin e një tribunali për gjykimin e pjesëmarrjes tonë në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001. Lufta jonë ishte e pastër dhe e drejtë, siç është edhe kjo kauzë europiane tani”, ka shkruar Alili.

Ai ka bërë apel që të gjithë nesër të votojnë numrin 4.

“Ju ftoj që nesër më 8 maj (E Mërkurë) të dëshmojmë se jemi bashkë kur i nevojitemi çështjes kombëtare dhe europiane, të votojmë të gjithë për numrin 4 dhe Frontin Europian që t’ua prishim planet sllavëve antishqiptar dhe servilave të tyre! Rroftë kombi ynë, e pëjetshme qoftë vendlindja jonë!”, ka përfunduar Alili.