Sot ka ditëlindjen ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kadri Veseli feston sot ditëlindjen e tij të 57-të. Ai u lind më 31 maj 1967 në Mitrovicë. Shkollimin fillor e kreu në shkollën “Ismail Qemali” në Bair të Mitrovicës. Dy vite të shkollës së mesme i kreu në Gjimnazin e Orientuar të Mitrovicës, kurse tri vite të tjera në shkollën Ekonomike në Zveçan.
Kadri Veseli është një nga figurat qendrore politike të lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në kapërcyellin kohor mbi njëzetvjeçar.

Si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila me shumë sukses e futi çështjen e Kosovës në agjendat politike të fuqive të mëdha dhe NATO-s më 1998 dhe 1999, ai sot ballafaqohet me disa akuza për gjoja krime lufte.

Në vitin 1990 filloi studimet në Prishtinë, në Fakultetin e Bujqësisë, si dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.

Për shkak të rrethanave politike që do të ndodhin më vonë dhe kushteve që impononte okupimi klasik serb, Kadri Veseli detyrohet që pjesën e mbetur të studimeve nga Universiteti i Prishtinës, ta vazhdojë në Universitetin e Tiranës, në Degën e Agronomisë. Ndërkaq, në rrethanat e lirisë së Kosovës (pas vitit 1999), ai ka vazhduar formimin e tij profesional në MBA in General Management.