Ndihmës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s vjen sot në Kosovë

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti, do të presë sot ndihmës-sekretarin e përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus.

 

Vizitën e zyrtarit të lartë të NATO-s e ka bërë të ditur kreu i ekzekutivit në mbledhjen e djeshme të qeverisë, teksa theksoi se me të do të diskutojë edhe hapjen e urës së Ibrit.

“Të enjten për vizitë vjen Thomas Goffus, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, ndërkaq javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s. Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull”, ka theksuar kryeministri Kurti në mbledhjen e djeshme të ekzekutivit.