Të ulur në një tavolinë, diku në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, janë fotografuar me Goran Vasiljeviç, një serb nga Shtimja, i njohur si nacionalist serb dhe i afërm i ish-shefit të Ushtrisë Serbe në kohën e Slobodan Millosheviç-it, Nebojsha Pavkoviç dhe po ashtu famëkeq-it “Kapetan Dragani”, Dragan Vasiljkoviç, i dënuar për krime lufte.
Në foton e siguruar nga Albanian Post, të bërë nga Vasiljeviç, shihet Kurti bashkë me ministrin Rashiç dhe persona të tjerë, por Albanian Post nuk ka arritur ta identifikojë vendin.
Sipas burimeve të Albanian Post nga Policia e Kosovës, Vasiljeviç është i dyshuar nga organet e sigurisë në Kosovë si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë, e njohur si “BIA”.

Ai dyshohet se kishte lidhje me grupin e agjentëve serbë që kishin ardhur në Kosovë për të blerë dëshmitarë duke iu ofruar atyre shuma të majme parash në këmbim të deklaratave të tyre për trafikim të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Në një operacion, pasi ishin siguruar prova edhe me video, policia atëherë kishte arrestuar spiunët Igor Juqillad, Millutina Radonoviç dhe Predrak Zhelkoviç.
Në një nga fotot që ka siguruar Albanian Post, Vasiljeviç është në anën e djathtë të Dragan Vasiljkoviç, ish-komandant i forcave paramilitare serbe të quajtura “Kninjas”, ndërsa bashkë me ta është edhe ish-shefi i Ushtrisë Serbe, Nebojsha Pavkoviç.

Për të njëjtin, në një emision të quajtur “Udhëve” në Radio Televizionin e Kosovës, të dhënë me datën 16 tetor 2020, u patën zbardhur dokumente të ushtrisë serbe ku shihej se ishte Pavkoviç që kishte dhënë urdhër për asgjësimin dhe zhdukjen e dosjeve të luftës të periudhës 1998-1999 në Kosovë.
I uluri në tavolinë me Kurtin, serbi Goran Vasiljeviç, ka edhe një foto ku shihet në një tubim të nacionalistëve serbë kundër shqiptarëve në Kosovë.

Vasiljeviç gjithashtu është i punësuar në institucionet e Kosovës.