Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë, ku futbollisti George Baldock, është gjetur i vdekur në pishinën e rezidencës së tij, në lagjen luksoze bregdetare të Athinës, Glyfada.
Ngjarja tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e djeshme dhe lajmi u shpërnda gjerësisht nga mediat lokale, por pa shumë detaje.
Nuk u njoftua as shkaku i ndarjes nga jeta nëse është vetëvrasje, vrasje ose përkeqësim shëndetësor.
Sipas mediave greke, në vendngjarje është nisur një mjek, ndërsa banesa është rrethuar nga policia. Baldock iu bashkua skuadrës greke Panathinaikos këtë sezon duke nënshkruar një kontratë trevjeçare për të luajtur në Superligën greke.
Ai kishte bërë më parë 12 ndeshje me ekipin kombëtar të futbollit të Greqisë pasi një nga gjyshërit e tij ishte me origjinë greke. Lajmi shkaktoi valë tronditëse në të gjithë vendin.
Gjatë karrierës së tij, futbollisti 31-vjeçar ishte pjesë e shumë klubeve angleze, teksa shkëlqeu te Shefild Junajtid, ku u aktivizua 205 ndeshje dhe shënoi 6 gola.
