Olta Gixhari rrëfen historinë e dashurisë me Dorian Lushin në “Mirëmbrëma Yje”

E ftuara e radhës në emisionin “Mirëmbrëma Yje” me Arbana Osmanin ka qenë aktorja e njohur Olta Gixhari, e cila ndau detaje të jetës së saj private, përfshirë marrëdhënien me partnerin e saj, Dorian Lushin. Për herë të parë, Olta foli hapur për njohjen e tyre dhe sfidat që kanë kaluar si çift, duke e quajtur dashurinë e tyre “dashuri me shikim të parë.”

“Që kur e pashë, më pëlqeu shumë, por mendova se nuk kishte asnjë shans që të ndodhte diçka mes nesh. Ai ishte shumë serioz, shumë i përmbajtur, ndërsa unë jam krejt e kundërta. Madje, shoqes sime të ngushtë i thosha që ta ngacmonte, se ishte një djalë që nuk duhej humbur,” tregoi aktorja, duke sjellë me humor një episod të fillimeve të marrëdhënies së tyre.

Gjatë intervistës, Olta foli edhe për jetën si nënë e dy fëmijëve, duke ndarë momente të veçanta nga përditshmëria e saj. Megjithatë, ajo vazhdoi të mbajë një linjë të rezervuar kur fliste për partnerin, duke mos e ekspozuar shumë atë në publik.

Dorian Lushi, partneri i Oltës, është bërë një figurë e përfolur në mediat shqiptare, veçanërisht pas pjesëmarrjes së saj në “Big Brother VIP”. Megjithatë, ai mbetet një figurë misterioze për shkak të të kaluarës së tij. Mediat raportojnë se Dorian Lushi ka qenë i dënuar dhe ka vuajtur dënim në Spanjë për çështje të dyshuara kriminale, ndërsa ka zëra se mund të jetë subjekt i ligjit anti-mafia në Shqipëri.

Olta, nga ana tjetër, nuk ka komentuar mbi këto çështje, duke preferuar ta mbajë jetën private larg vëmendjes mediatike. Kjo zgjedhje e saj është shoqëruar me spekulime, por aktorja ka treguar gjithmonë se familja dhe privatësia janë prioritet për të.

Publikuar nga Publik Media